Më 2008-n, Google solli për herë të parë Chrome-in dhe ndikimi i tij si një risi në teknologjinë e shfletuesve qe i menjëhershëm. Qe më i shpejtë për ngarkim sajtesh, zinte vend minimal për hapësirë ekrani dhe ofroi në mënyrë të pamohueshme një ndërfaqe të thjeshtë përdoruesi.
Duke kaluar shpejt te ditët e sotme, peizazhi i konkurrencës për shfletuesit ka ndryshuar, me mjaft vetë që kanë filluar të shtrojnë pyetjen se ç’po ndodh me të dhënat e tyre internetore, bie fjala, historikun e shfletimeve, fjalëkalimet dhe të tjera të dhëna rezervat. Që nga 2008-a, kur Chrome-i erdhi në skenë për herë të parë, mjaft gjëra kanë ndryshuar. Në Firefox kemi qenë thellësisht të përqendruar mbi punën për riskicimin e ndërfaqes tonë dhe për t’u dhënë përdoruesve një numër gjithnjë në rritje thellimesh të privatësisë dhe të funksionimit, që, si parazgjedhje, janë të automatizuara, si edhe plot mjete të dobishme shfletuesi.
Dhe ja ku jemi, luftërat mes shfletuesve po përshkallëzohen sërish dhe ka ardhur koha të ripeshohen dhe krahasohen Shfletues Firefox vs Google Chrome.

Siguri dhe Privatësi
Siguri dhe Privatësi | ![]() |
|
---|---|---|
Mënyra Shfletim Privat | ||
Bllokon, si parazgjedhje, cookie-t nga palë gjurmuese të treta | ||
Bllokon programthe nxjerrjeje kriptomonedhash | ||
Bllokon gjurmues shoqërorësh |
Në Firefox kemi një numër shumë të madh përdoruesish të përkushtuar që e çmojnë përkushtimin tonë të palëkundur ndaj privatësisë në internet. Për shembull, versioni më i ri i Firefox-it përfshin një veçori të quajtur Mbrojtje e Thelluar Nga Gjurmimi (ETP) e cila, si parazgjedhje, është e aktivizuar për krejt përdoruesit në botë. ETP-ja bllokon mbi 2000 gjurmues, përfshi gjurmues shoqërorësh nga shoqëri të tilla si Facebook, Twitter dhe LinkedIn. Përmban gjithashtu një veçori të integruar, të quajtur Firefox Monitor, e cila ju njofton automatikisht, nëse fjalëkalimi juaj është përfshirë në një shkelje të dhënash apo lyp përditësim. Përmbi këto mbrojtje, mënyra Shfletim Privat e Firefox-it fshin automatikisht të dhëna tuajat të shfletimit, të tilla si historik dhe cookies, duke mos lënë gjurmë, pasi të përfundoni sesionin tuaj të shfletimit.
Tani së fundi e kemi rideklaruar përkushtimin tonë ndaj privatësisë dhe transparencës lidhur me të dhënat e përdoruesve, në versionin tonë më të freskët të Shënimit mbi Privatësinë ku thuhet, “Në Mozilla besojmë se privatësia është themelore për një internet të shëndetshëm”.
Sipas gjithë raportimeve, Google Chrome është një shfletues i sigurt, me veçori të tilla si Google Safe Browsing, që ndihmon të mbrohen përdoruesit duke shfaqur një sinjalizim që zor të mos e shohësh, kur ata provojnë të hapin sajte të rrezikshëm ose të shkarkojnë kartela të rrezikshme.
Në fakt, si Chrome-i, ashtu edhe Firefox-i kanë brenda siguri rigoroze. Që të dy përfshijnë një gjë të quajtur “sandboxing” i cili i ndan proceset e shfletuesit, në mënyrë që diçka e tillë si një sajt i dëmshëm nuk infekton pjesë të tjera të kompjuterit tuaj apo tjetër pajisjeje.
Teksa Chrome del të jetë një shfletues i sigurt, historiku i tij lidhur me privatësinë është me pikëpyetje. Google faktikisht grumbullon një sasi të madhe, tronditëse, të dhënash nga përdoruesit e vet, përfshi vendndodhje, historik kërkimesh dhe vizita sajtesh. Google e justifikon grumbullimin e të dhënave duke thënë se e bën për të përmirësuar shërbimet e veta – fjala vjen, duke ju ndihmuar të gjeni një bluzë apo një kafene si ajo që patët blerë apo vizituar më parë. Megjithatë, të tjerë mund të mos jenë dakord, duke vënë në dukje se Google faktikisht është duke mbledhur një sasi të dhënash të paparë më herët, për marketingun e vet. Ata reklamojnë me forcë se po i mbajnë të dhënat tuaja private larg hacker-ave, por puna s’është aty. Vetë Google ka rrjetin më të madh të reklamave në botë, në një shkallë të lartë falë të dhënave që grumbullon prej përdoruesve të vet.
Tek e fundit, është në dorën tuaj të vendosni nëse duhet vënë apo jo, ose se kur, një cak për ndarjen me të tjerët të gjërave të tilla si historiku juaj i kërkimit apo i blerjeve. Por, nëse jeni si shumica e personave, gjasat janë të keni kërkuar në internet për gjëra që do të donit më mirë t’i mbanit private.
Veçori
Veçori | ![]() |
|
---|---|---|
Bllokim vetëluajtjesh | ||
Shfletim me skeda | ||
Përgjegjës faqerojtësish | ||
Plotëson automatikisht formularë | ||
Mundësi motori kërkimesh | ||
Tekst në të folur | ||
Mënyra Lexues | ||
Kontroll drejtshkrimi | ||
Zgjerime Web/Shtesa | ||
Mjet fotografimi ekrani brenda shfletuesit |
Për sa u takon veçorive, si Firefox-i, ashtu edhe Chrome ofrojnë një librari të gjerë zgjerimesh dhe shtojcash, me katalogun e Chrome-it ’s që ia kalon mjaft cilitdo shfletues tjetër, teksa integrohet bukur me shërbime të tjera Google, bie fjala, Gmail dhe Google Docs.
Firefox-i, si një software me burim të hapur me një numër shumë të madh kontribuesish aktivë, përmban gjithashtu një numër të pabesueshëm zgjerimesh të dobishme, edhe pse jo aq e gjerë sa libraria e shtesave për Chrome.
Firefox-i ka gjithashtu një veçori njëkohësimi, që të shihni skedat tuaja të hapura dhe ato të hapura së fundi dhe faqerojtësit, nëpër krejt pajisjet tuaja.
Teksa për shtesa dhe zgjerime pikët i merr Chrome-i, Firefox-i ka një set të ujdisur mirë veçorish të brendshme, bie fjala, një mjet shumë të dobishëm për fotografim ekrani dhe veçorinë për mënyrë leximi, e cila heq gjithçka prej faqes, me përjashtim të tekstit të artikullit që po lexonit.
Nëse pasja hapur e shumë skedave është sport i juaji, atëherë puna mbetet te parapëlqimi juaj për UI-në. Firefox-i lejon një rrëshqitje horizontale të krejt skedave tuaja të hapura, në vend të tkurrjes së tyre gjithnjë e më të vogla, pas hapjes së një të reje. Google Chrome parapëlqen t’i tkurrë, që të jetë e dukshme vetëm favikona. Problemi i vetëm me këtë rrugë është se, kur keni shumë skeda të hapura nga i njëjti sajt, shihni të njëjtën favikonë nëpër skedat tuaja.
Sa për përshtatjet, fansat tanë do t’ju thonë se një nga gjërat që duan më fort te shfletuesi ynë është aftësia e tij t’ju lejojë të lëvizni dhe sistemoni një shumicë të elementeve të UI-t, për ta përshtatur sa më mirë me nevojat tuaja. Chrome-i ju lejon të fshihni disa elementë UI, por nuk ka shumë liri, nëse mund të flitet për të tillë, për lëvizje të gjërave përreth bazuar në parapëlqimet tuaja. Sidoqoftë duhet vënë në dukje se si Chrome-i, ashtu edhe Firefox-i e bëjnë goxha të kollajtë të ndryshohet pamja dhe ana grafike e shfletuesit tuaj.
Bartje:
Bartje | ![]() |
|
---|---|---|
Pasje në OS | ||
Pasje në OS celulari | ||
Njëkohësohet me celularin | ||
Administrim fjalëkalimesh | ||
Fjalëkalim parësor |
Gati-gati s’ka nevojë të thuhet se si Firefox-in, ashtu edhe për Chrome-in ka versione të gatshme për shumicën e sistemeve operative për desktop dhe celular (Windows, macOS, Linux, Android, iOS).
Si Chrome-i, ashtu edhe Firefox-i ju lejojnë të njëkohësoni nëpër krejt pajisjet tuaja gjëra të tilla si fjalëkalime, faqerojtës dhe skeda të hapura. Por Firefox-i ama ka sigurinë shtesë të një fjalëkalimi të përgjithshëm që i mban krejt kredencialet e ruajtur për hyrjet dhe fjalëkalimet përkatës nën një grup shtesë dryni dhe kyçi. Nëse keni një llogari Firefox, mund të dërgoni dorazi një skedë të hapur në desktopin tuaj te pajisja juaj celulare ose anasjelltas. Me Chrome-in kjo bëhet automatikisht, nëse keni zgjedhur rregullimin përkatës te parapëlqimet tuaja. Të mos ju duhet ta dërgoni dorazi një skedë nga një pajisje në një tjetër është e volitshme, kur doni të bëni gjëra të tilla si vazhdimi i leximit të një artikulli që s’e mbaruat më herët. Por mund të ketë raste kur njëkohësimi i vetvetishëm mund të mos jetë ideja e përkryer, nëse qëllon që shumë përdorues njëherësh po shfletojnë teksa kanë bërë hyrjen në llogarinë tuaj Google.
Vlerësim i Përgjithshëm
Mendojmë se është e drejtë të thuhet që Firefox-i dhe Chrome-i janë vërtet në një vijë, për sa i takon bartjes dhe veçorive, me Chrome-in pakëz më përpara te veçoritë, për shkak të bibliotekës së stërmadhe të zgjerimeve dhe shtesave. Por kur vjen puna te Privatësia, Firefox-i fiton përmes përkushtimit tonë për ruajtjen e të dhënave internetore të përdoruesve tanë dhe furnizimit të shërbimeve falas, të brendshëm në shfletues, të tillë si përgjegjës fjalëkalimesh, i cili gjithashtu ju vë në dijeni, nëse rastis të ketë një cenim të dhënash ku të jenë përfshirë edhe kredenciale tuajat.
Për qëllime praktike, pa dyshim që s’ka asgjë që t’ju pengojë vërtet të përdorni këdo nga dy shfletuesit—Firefox-in për ato çaste të jetës kur privatësia ka vërtet vlerë dhe Chrome-in, nëse ende jeni i përfshirë në ekosistemin e Google-it. Por prapë, me numrin në rritje të inkursioneve drejt të dhënave tona personale, Firefox-i mund ta provojë veten si zgjedhja e duhur, parë në perspektivë, për ata prej nesh që vlerësojnë mbrojtjen e privatësisë tonë personale në internet.
Krahasimet e bëra këtu u kryen përmes rregullimeve parazgjedhje dhe versioneve të shfletuesve si vijon:
Firefox (81) |
Chrome (85)
Kjo faqe përditësohet çdo dymujor, për të pasqyruar versionet më të reja dhe mund të mos pasqyrojë përherë përditësimet më të reja.