Mozilla Manifesto Addendum
Zotim për Internet të Shëndetshëm
Interneti i hapur, global, është burimi më i fuqishëm i komunikimit dhe bashkëpunimit që kemi parë ndonjëherë. Ai mishëron disa nga shpresat më të thekka për përparim njerëzor. Ai bën të mundur mundësi të reja për të mësuar, për të krijuar një ndjenjë humanizmi të përbashkët, dhe për zgjidhjen e problemeve urgjente me të cilat ndeshen njerëzit kudo.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kemi parë të plotësohet ky premtim në shumë drejtime. E kemi parë gjithashtu fuqinë e internetit të përdoret për të ampilifikuar përçarjen, për të nxitur dhunën, për të promovuar urrejtjen, dhe për të manipuluar me dashje faktet dhe realitetin. Kemi nxjerrë mësimin se duhet t’i përcaktojmë më shprehimisht aspiratat tona për gjendjen e njeriut në internet. Po e bëjmë këtu.
- I jemi përkushtuar një interneti që përfshin krejt njerëzit e rruzullit — ku karakteristikat demografike të një personi nuk përcaktojnë përdorimin e tij të internetit, mundësitë, apo cilësinë e punës në të.
- I jemi përkushtuar një interneti që nxit diskutimin civil, dinjitetin njerëzor, dhe shprehjen individuale.
- I jemi përkushtuar një interneti që lartëson të menduarit kritik, argumentimin e arsyetuar, dijen e përbashkët, dhe faktet e verifikueshme.
- I jemi përkushtuar një interneti që shërben si katalizator i bashkëpunimit mes bashkësive të larmishme që punojnë tok për të mirën e përbashkët.