FAQ mbi Privatësinë e të Dhënave te Mozilla

Vëmë Njerëzit Para Fitimit.

Që njerëzit sot të dinë ç’të presin nga cilido software ose shërbim që përdorin, mund të jetë e punë e zorshme. Teknologjia mbi të cilën bazohet jeta jonë është e ndërlikuar dhe njerëzit nuk kanë kohë të rrëmojnë në hollësira. Kjo është e vërtetë edhe për Firefox-in, ku kemi parë se njerëzit kanë ide të ndryshme mbi ç’ndodh nën kapakun e shfletuesit të tyre.

Në Mozilla respektojmë dhe mbrojmë të dhënat tuaja personale:

  • Ne ndjekim një grup Parimesh Privatësie të Dhënash që i japin formë trajtimit nga ne të privatësisë në shfletuesit Firefox për desktop dhe celularë.
  • Grumbullojmë vetëm të dhëna që na duhen për të krijuar produktet më të mira.
  • I vëmë njerëzit në kontroll të të dhënave të tyre dhe të veprimtarisë internetore.
  • Jemi me parimin “pa surpriza”, që do të thotë se punojmë fort për të garantuar që të kuptuarit nga njerëzit e Firefox-it përkon me realitetin.

Pyetjet dhe përgjigjet vijuese do të duhej t’ju ndihmonin të kuptonit se ç’duhet pritur nga Mozilla dhe Firefox-i:

E përdor Firefox-in për thuajse gjithçka në Web. Ju aty te Mozilla duhet të dini një thes me gjëra rreth meje, apo jo?

Firefox-i, shfletuesi që xhiron në pajisjen apo kompjuterin tuaj, është porta juaj për në internet. Shfletuesi juaj do të administrojë plot informacion rreth sajtesh që vizitoni, por ai informacion përgjithësisht rri në pajisjen tuaj. Mozilla, shoqëria që prodhon Firefox-in, nuk e grumbullon (veç në na e kërkofshi).

Vërtet, nuk grumbulloni të dhëna të historikut tim të shfletimeve?

Mozilla nuk di aq sa do të prisnit, rreth se si njerëzit shfletojnë në web. Si prodhues shfletuesi, kjo në fakt është një sfidë e madhe për ne. Ndaj kemi krijuar mjete opt-in, që u lejojnë përdoruesve të interesuar të na japin mendimet e tyre lidhur me shfletimin në web nga ata. Nëse e njëkohësoni historikun tuaj të shfletimeve nëpër instalime të Firefox-it, nuk dimë gjë rreth atij historiku - ngaqë është i fshehtëzuar nga pajisja juaj.

Duket se çdo kompani në web shet dhe blen të dhënat e mia. Gjasat janë që as ju të mos jeni ndryshe.

Mozilla nuk shet të dhëna rreth jush dhe as blejmë të dhëna rreth jush.

Dale, po paratë nga i nxirrni?

Mozilla s’është si entet e rëndomta. E themeluar si një projekt bashkësie, me burim të hapët, më 1998, Mozilla është një ent i udhëhequr nga një mision, që punon për një internet më të shëndetshëm. Pjesa dërrmuese e të ardhurave të Mozilla Corporation vjen nga tarifa të fituara përmes kontratash partneriteti dhe distribucioni kërkimi me shfletuesin Firefox anembanë botës. Më shumë rreth se si i nxjerrim paratë mund të mësoni te raporti ynë vjetor financiar.

OK, këto të parat qenë të lehta. Ç’të dhëna grumbulloni?

Mozilla grumbullon një grup të kufizuar të dhënash, si parazgjedhje, prej Firefox-it, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë se si e përdorin shfletuesin njerëzit. Rreth kësaj mund të lexoni më tepër në shënimin tonë për privatësinë dhe mund të lexoni dokumentimin e plotë rreth asaj mbledhjeje të dhënash.

Dokumentimin tonë e bëjmë publik, që cilido të mund të verifikojë se ato që themi janë të vërteta, të na thotë se ç’lypset të përmirësojmë dhe të ketë besim se nuk po fshehim gjë.

Ai dokumentim më duket lesh e li! A mund të ma jepni shqipçe?

Ka dy kategori të dhënash që grumbullojmë, si parazgjedhje, në versionin hedhje në qarkullim të Firefox-it.

E para është ajo çka e quajmë "të dhëna teknike." Këto janë të dhëna rreth vetë shfletuesit, bie fjala, sistemi operativ në të cilin po xhiron dhe të dhëna rreth gabimesh apo vithisjesh.

E dyta është ajo që e quajmë "të dhëna ndërveprimesh." Këto të dhëna lidhen me ndërveprimin e një individi me Firefox-in, fjala vjen, numri i skedave që qenë hapur, gjendja e parapëlqimeve të përdoruesit, ose sa herë janë përdorur disa veçori të dhëna të shfletuesit, b.f., mekanizmi për foto ekrani apo kontejnerët. Për shembull, i grumbullojmë këto të dhëna përmes numrit të klikimeve të butonit Mbrapsht, (ajo shigjeta në cepin e majtë sipër të shfletuesit tuaj që ju lejon të kaloni te një faqe e mëparshme) në një mënyrë që na tregon se dikush përdori butonin Mbrapsht, por s’na thotë gjë se cila faqe u vizituan konkretisht përmes këtij veprimi.

A grumbulloni më tepër të dhëna nga versionet paraqarkullim të Firefox-it?

Në një farë mënyre. Përveç të dhënave të përshkruara më sipër, marrim njoftime vithisjesh dhe gabimesh, si parazgjedhje në versionet paraqarkullim të Firefox-it.

Nga versione paraqarkullim, mund të grumbullojmë edhe të dhëna shtesë për një nga katërstudimet tona. Për shembull, disa studime kërkojnë atë çka e quajmë “të dhëna veprimtarie web”, që mund të përfshijë URL-ra dhe të dhëna të tjera rreth disa sajtesh. Kjo na ndihmon të gjejmë përgjigje për pyetje specifike lidhur me përmirësimin e Firefox-it, bie fjala, si të integrohen më mirë sajte popullorë në gjuhë specifike.

Versionet Firefox paraqarkullim nga Mozilla janë platforma zhvillimi, të përditësuara shpesh, me veçori eksperimentale. Nga paraqarkullimet grumbullojmë më tepër të dhëna se sa pas hedhjes në qarkullim, që të mund të kuptojmë se si po ecin këto veçori eksperimentale. Te parapëlqimet mund të zgjidhni të liheni jashtë grumbullimit të këtyre të dhënave.

Tek e fundit, pse grumbulloni të dhëna?

Nëse nuk e dimë se si po funksionon shfletuesi, apo se cilat veçori përdorin njerëzit, s’mund ta përmirësojmë dhe të ofrojmë produktin e fuqishëm që doni. Kemi investuar në krijimin e mjeteve për grumbullim dhe analizim të dhënash që na lejojnë të marrim vendime të mençura lidhur me produktet tona, teksa respektojmë privatësinë e njerëzve.

Grumbullimi i të dhënave prapëseprapë më prish gjakun. A mund ta çaktivizoj?

Po. Pasja e kontrollit nga përdoruesi është një nga parimet tona të privatësisë së të dhënave. Këtë e vëmë në jetë te Firefox, te faqja jonë e rregullimeve të privatësisë, që shërben si zgjidhje e plotë për këdo që kërkon të ketë kontrollin e privatësisë së vet në Firefox. Aty mund të çaktivizoni grumbullimin e të dhënave.

Po të dhënat e llogarive të mia?

Besojmë fort në minimizimin e të dhënave dhe nuk kërkojmë gjëra që nuk na duhen.

Që të përdorni Firefox-in, s’keni nevojë për llogari. Llogaritë janë të domosdoshme për njëkohësim të dhënash përmes pajisjesh tuajat, por ne kërkojmë vetëm një adresë email. Nuk duam të dimë gjëra të tilla si emri juaj, adresa, datëlindja dhe numri i telefonit.

Si pjesë e marketingut tuaj, ju përdorni reklama dixhitale. Blini të dhëna të njerëzve për të fokusuar më mirë reklamat tuaja internetore?

Jo, nuk blejmë të dhëna të njerëzve për reklama të fokusuara.

Partnerëve tanë të reklamave u kërkojmë të përdorin vetëm të dhëna që ata vetë, sajte dhe botues, dinë mbi krejt përdoruesit - jo nga palë të treta - të tilla si shfletuesi që po përdorni dhe pajisje nga po e përdorni.

Duket se vërtet më mbroni krahët te kjo punë e privatësisë.

Po.

Shihni më tepër se si e mbron internetin Mozilla.