Manifesti i Mozilla-s

Hyrje

Interneti po bëhet gjithnjë e më tepër pjesë e rëndësishme e jetës sonë.

Projekti Mozilla është një bashkësi mbarëbotërore njerëzish që besojnë se të qenët i hapur, risitë dhe dhënia e mundësive janë kyçet e shëndetit në vazhdimësi të Internetit. Punojmë së bashku që prej 1998-s, për të bërë të mundur që Interneti të zhvillohet i tillë që prej tij të përfitojnë të gjithë. Jemi më të njohur për krijimin e shfletuesit Mozilla Firefox.

Për krijimin e programeve të cilësisë së parë dhe me burim të hapët, si dhe për zhvillimin e llojeve të reja të veprimtarive për bashkëpunim mes njerëzve, projekti Mozilla përdor metodën e punës në bashkësi. Krijojmë bashkësi personash të përfshirë në bërjen e Internetit më të mirë për të gjithë ne.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, kemi përftuar një grup parimesh të cilat besojmë se janë kritike që Interneti të vazhdojë të sjellë përfitime si për të mirën e përbashkët, ashtu edhe për anën komerciale të jetës. Këto parime po i ravijëzojmë më poshtë.

Qëllimet e Manifestit janë:

  1. t’i japë formë përfytyrimit që bashkëpunëtorët e Mozilla-s dëshirojnë të ndiqet nga Fondacioni Mozilla Foundation;
  2. t’u flitet si atyre që kanë, ashtu edhe atyre që nuk kanë njohje teknike;
  3. t’i bëjë pjesëmarrësit te Mozilla krenarë për çka bëjnë dhe t’i nxisë të vazhdojnë; dhe
  4. të furnizojë një kuadër pune për të tjerë persona që do të shtyjnë më para këtë përfytyrim të Internetit.

Këto parime nuk lulëzojnë vetë. Lypsen njerëz që ta bëjnë Internetin të hapur dhe dashamirës - njerëz që punojnë më vete, që punojnë tok në grupe dhe që udhëheqin të tjerët. Fondacioni Mozilla Foundation i është përkushtuar shpënies më tej të parimeve të ravijëzuara te Manifesti Mozilla. Ftojmë edhe të tjerët të bashkohen me ne për ta bërë Internetin një vend akoma më të mirë për të tërë.

Parimet

  1. Interneti është pjesë e pandarë e jetës moderne – përbërës kyç në edukim, komunikim, bashkëpunim, biznes, dëfrim dhe në shoqërinë në tërësi.
  2. Interneti është burim i përbashkët mbarëbotëror që duhet të mbetet i hapur dhe i shfrytëzueshëm.
  3. Interneti duhet të pasurojë jetën e secilës qenie njerëzore.
  4. Siguria dhe privatësia e individit në Internet janë themelore dhe nuk mund të trajtohet si opsionale.
  5. Individët duhet të jenë në gjendje t’i japin formë Internetit dhe punës së tyre në të.
  6. Efikasiteti i Internetit si burim i përbashkët varet nga ndërveprimi (protokolle, formate të dhënash, lëndë), risitë dhe pjesëmarrja e decentralizuar anembanë botës.
  7. Software-i i lirë dhe me burim të hapët nxit zhvillimin e Internetit si burim publik.
  8. Proceset e tejdukshme dhe me bazë bashkësinë nxitin pjesëmarrjen, përgjegjshmërinë dhe besimin.
  9. Ndërhyrjet komerciale në zhvillimin e Internetit sjellin mjaft përfitime; një drejtpeshim mes përfitimit komercial dhe të mirës së përbashkët ka rol kritik.
  10. Shtimi i anëve të Internetit që lidhen me përfitimin e përbashkët është qëllim me rëndësi, ia vlen të harxhohet kohë, kujdes dhe përkushtim për të.

Zotim për Internet të Shëndetshëm

Interneti i hapur, global, është burimi më i fuqishëm i komunikimit dhe bashkëpunimit që kemi parë ndonjëherë. Ai mishëron disa nga shpresat më të thella për përparim njerëzor. Ai bën të mundur mundësi të reja për të mësuar, për të krijuar një ndjenjë humanizmi të përbashkët dhe për zgjidhjen e problemeve urgjente me të cilat ndeshen njerëzit kudo.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kemi parë të plotësohet ky premtim në shumë drejtime. E kemi parë gjithashtu fuqinë e internetit të përdoret për të ampilifikuar përçarjen, për të nxitur dhunën, për të promovuar urrejtjen dhe për të manipuluar me dashje faktet dhe realitetin. Kemi nxjerrë mësimin se duhet t’i përcaktojmë më shprehimisht aspiratat tona për gjendjen e njeriut në internet. Po e bëjmë këtu.

Our Commitments

  1. I jemi përkushtuar një interneti që përfshin krejt njerëzit e rruzullit — ku karakteristikat demografike të një personi nuk përcaktojnë përdorimin e tij të internetit, mundësitë, apo cilësinë e punës në të.
  2. I jemi përkushtuar një interneti që nxit diskutimin civil, dinjitetin njerëzor dhe shprehjen individuale.
  3. I jemi përkushtuar një interneti që lartëson të menduarit kritik, argumentimin e arsyetuar, dijen e përbashkët dhe faktet e verifikueshme.
  4. I jemi përkushtuar një interneti që shërben si katalizator i bashkëpunimit mes bashkësive të larmishme që punojnë tok për të mirën e përbashkët.

Zotimi i Mozilla Foundation-it

Mozilla Foundation zotohet të mbështesë Manifestin e Mozilla-s përgjatë veprimtarive të tij. Në veçanti:

  • do të ndërtojmë dhe bëjmë të mundura teknologji me burim të hapët dhe bashkësi që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të krijojmë dhe shpërndajmë produkte të fuqishëm konsumatori, që mbështesin parimet e Manifestit;
  • do të përdorim burimet e Mozilla-s (pronësinë intelektuale, të tilla si të drejtat e autorit dhe shenjat tregtare, infrastrukturën, fondet dhe famën) për ta mbajtur Internetin platformë të hapur;
  • do të nxisim modele krijimi vlerash ekonomike për të mirën publike; dhe
  • do të nxisim përhapjen e parimeve të Manifestit Mozilla në diskursin publik dhe brenda vetë industrisë së Internetit.

Shpënia më tej e Manifestit Mozilla

Një internet me këto cilësi nuk lind vetvetiu. Individë dhe ente duhet t’i rrënjosin këto aspirata në teknologji internetore dhe në ndërveprimin e njerëzve me internetin. Mozilla Manifesto dhe Addendum-i përfaqësojnë përkushtimin e Mozilla-s ndaj shpënies përpara të këtyre aspiratave. Synojmë të punojmë së bashku kudo me njerëz dhe ente që pajtohen me këto synime për ta bërë internetin një vend edhe më të mirë për këdo.