Shkarkoni Firefox-in

Firefox nuk mbulohet më në Windows 8.1 e më poshtë.

Ju lutemi, që të përdorni Firefox-in shkarkoni Firefox ESR (Hedhje Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar).

Firefox nuk mbulohet më në macOS 10.14 e më poshtë.

Ju lutemi, që të përdorni Firefox-in shkarkoni Firefox ESR (Hedhje Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar).

Shënim Privatësie në Firefox

Mozilla VPN

Ç’është një adresë IP?

Mozilla iu përgjigjet krejt pyetjeve tuaja mbi adresa IP, nga ç’është një adresë IP, si funksionon dhe nëse duhet ta fshihni apo jo.

Sa herë që gjendeni në internet, adresat IP luajnë një rol thelbësor në shkëmbimin e informacionit, për t’ju ndihmuar të shihni sajtet që po kërkoni. Por, ka mundësi të mos e dini se ç’është një e tillë, ndaj po zbërthejmë më poshtë pyetjet e bëra më shpesh.

Ç’është një adresë IP?

Adresa juaj IP është një identifikues unik, si një adresë email e përshoqëruar me veprimtarinë tuaj internetore. Sa herë që përdorni internetin (blerje në internet, dërgim email-esh, parje TV-je në internet), ju kërkoni hyrje te një vendmbërritje e caktuar në internet dhe në vazhdim ju dërgohet informacion prej andej. Si funksionon? IP do të thotë Protokoll Internet (Internet Protocol), i cili formon standardet dhe rregullat (po, të njohura ndryshe si protokolli) për dërgim dhe marrje të dhënash dhe për lidhje në internet. Ky protokoll është një grup rregullash që secila palë e ka të nevojshme t’i ndjekë për të lejuar një rrjedhë dykahëshe të dhënash.

Një shembull adrese IP, që është një varg katër numrash, ndarë nga pikë dhjetore: 123.45.67.89
Nëse kërkoni për adresën tuaj IP, do të jetë diçka e tillë.

A udhëton tok me ju?

Jo. Adresa juaj IP përshoqërohet vetëm me një vendndodhje, veç në përdorshi një VPN (këtë do ta shohim më gjerë më pas). Kur jeni në shtëpi dhe lidheni në internet për të cilin paguani, përdorni një adresë të tillë. Por, nëse kontrolloni email-in në shtëpi më mëngjes, më pas u hidhni një sy lajmeve në një kafene, teksa prisni për kafenë tuaj dhe më tej punoni në zyrë, në secilën vendndodhje do të keni përdorur adresa të ndryshme IP.

A ndryshon adresa juaj IP?

Po. Edhe kur internetin e përdorni vetëm në shtëpi, adresa IP për shtëpinë tuaj mund të ndryshojë. Mund të lidheni me furnizuesin tuaj të shërbimit internet (ISP) për ta ndryshuar, por qoftë edhe diçka aq rutinë sa rinisja e modemit apo rrugëzuesit tuaj, për shkak problemesh lidhjeje internet, mund të sjellë një ndryshim të saj.

A mundet që të njëjtën adresë IP ta kenë më shumë se një pajisje?

Kjo është pyetje pakëz e ngatërruar — përgjigja është po dhe jo. Të njëjtën adresë IP të jashtme (publike) mund ta kenë të përbashkët më shumë se një pajisje, por secila pajisje do të ketë adresën e vet vendore (private) IP. për shembull, ISP-ja juaj (furnizuesi i shërbimit internet) cakton për shtëpinë tuaj një adresë IP të jashtme. Ngaqë rrugëzuesi juaj është ai që lidhet faktikisht në internet, adresa IP i caktohet rrugëzuesit tuaj. Rrugëzuesi juaj mandej cakton një adresë IP vendore për çdo pajisje që është e lidhur në internet në një kohë të dhënë. Adresa e jashtme IP është ajo që i shfaqet botës. Adresa juaj private IP nuk shfaqet jashtë rrjetit tuaj privat në shtëpi.

A mund të na mbarojnë?

Kur u hartua Interneti në fillim, përdorte adresa “version 4”. Këto janë 32 bit, që do të thotë se mund të kemi deri në 4.2 miliardë adresa. Kjo dukej e mjaftueshme në atë kohë, por s’është kurrkund afër të mjaftueshmes, në një botë ku një shtëpi e rëndomtë në ShBA ka 11 pajisje të lidhura.

Tani kemi versionin 6 të adresave IP, që kanë adresa 128 bit. Mjerisht. version i4 dhe versioni 6 s’mund të komunikojnë me njëri-tjetrin drejtpërsëdrejti, ndaj njerëzve do t’u duhen adresat version 4 për një kohë të gjatë.

A duhet të fshihni adresën tuaj IP?

Nuk ju duhet ta fshihni adresën tuaj IP, por ka raste kur mund të donit. Arsyeja më e zakonshme është privatësia. Në ShBA, Kongresi hodhi poshtë rregullime privatësie të hartuara për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve të internetit. Furnizuesit e shërbimeve internet mund të shohin zakonet tuaja të shfletimit, për çfarë po e përdorni internetin dhe sa kohë harxhoni në secilën faqe. Ky komunikim s’është i fshehtëzuar, ndaj palë të treta mund të shohin cilin sajt po vizitoni. Një rrugë për ta luftuar këtë është DNS-over-HTTPS (DoH). Kjo fshehtëzon trafikun tuaj DNS (Domain Name System), duke e bërë më të vështirë për ISP-të të shohin sajtet që po provoni të vizitoni. Për përdorues Firefox në ShBA, kërkesat tuaja DoH, si parazgjedhje, shpihen te shërbyes të besuar DNS, duke e bërë më të vështirë përshoqërimin tuaj me sajtet që po provoni të vizitoni.

Ka gjithashtu arsye sipas situatash për të fshehur adresën tuaj IP. Mund të doni ta fshihni, kur udhëtoni. Një VPN do t’ju japë më tepër privatësi, kur lidheni me WiFi, për media dhe blerje, teksa eksploroni botën.

Si e fshihni?

Një VPN është një rrugë për të fshehur adresën tuaj IP. Kur përdorni një VPN, adresa juaj e jashtme IP do të vijë prej IP-së së jashtme të shërbyesit VPN, në vend se nga adresa e jashtme IP e vendndodhjes tuaj. Kështu, nëse shërbyesi juaj i lidhjes VPN gjendet në Kaliforni, IP-ja juaj e jashtme do të duket sikur është e lidhur prej Kalifornie, pavarësisht se ku jeni. Plus, veprimtaria juaj internetore dërgohet te shërbyesi juaj VPN përmes një lidhje të fshehtëzuar, të siguruar, duke ju dhënë siguri dhe privatësi shtesë. Mozilla VPN është një rrugë për të fshehur adresën tuaj IP. Nuk mbajmë regjistra të veprimtarisë tuaj në rrjet dhe nuk bashkëpunojmë me palë të treta që ndërtojnë profile nga ajo që bëni në internet. Ofrojmë mbrojtje të plotë pajisjesh për deri në pesë pajisje, me shërbyes në mbi 30 vende, mund të lidheni me kudo, prej ngado.

Mozilla VPN

Merrni Mozilla VPN