Historia e Shfletuesve

Historia e botës është plot me beteja epike për pushtet, tiranë që mposhtin botën dhe të vegjël heroikë. Historia e shfletuesve s’është shumë ndryshe. Pionierë universitetesh shkruan software të thjeshtë që shërbeu si shkëndijë për një revolucion informacioni dhe beteje për superioritet shfletuesish dhe për përdorues të internetit.

Shkarkoni Firefox-in

Firefox nuk mbulohet më në Windows 8.1 e më poshtë.

Ju lutemi, që të përdorni Firefox-in shkarkoni Firefox ESR (Hedhje Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar).

Firefox nuk mbulohet më në macOS 10.14 e më poshtë.

Ju lutemi, që të përdorni Firefox-in shkarkoni Firefox ESR (Hedhje Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar).

Shënim Privatësie në Firefox

Para Erës së Internetit

Në 1950-n, kompjuterat zinin dhoma të tëra dhe qenë më pak të mençur se sa makinat llogaritëse të sotme të xhepit. Por përparimi qe i shpejtë dhe nga 1960 qenë në gjendje të xhironin programe komplekse. Qeveri dhe universitete anembanë rruzullit menduan se do të ishte gjë e bukur nëse makinat do të mund të flisnin, duke ushqyer kështu bashkëpunimin dhe zbulimet shkencore.

ARPANET qe projekti i parë i suksesshëm i një rrjeti dhe më 1969 u dërgua mesazhi i parë nga laboratori i shkencave informatike në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxheles (UCLA) në Institutin e Kërkimeve në Stanford (SRI), po ashtu në Kaliforni.

Kjo qe shkëndija për një revolucion në punimin në rrjet të kompjuterave. U formuan rrjete të rinj, që lidhnin universitete dhe qendra shkencore anembanë rruzullit. Por për 20 vjetët më pas, interneti s’qe i përdorshëm nga publiku. Qe i kufizuar për kërkime universitare dhe qeveritare, studentë dhe korporata private. Pati me dhjetëra programe me të cilat mund të shkëmbehej informacion përmes linjave telefonike, por asnjë prej tyre s’qe i lehtë për t’u përdorur. Interneti i njëmendtë i hapët dhe shfletuesi i parë s’erdhën para 1990-s.

Epoka e Web-it

Informatikani britanik Tim Berners-Lee krijoi shërbyesin e parë dhe shfletuesin e parë grafik në 1990, teksa punonte në CERN, Shoqata Evropiane për Kërkim Bërthamor, në Zvicër. Ai e quajti dritaren e tij të re në internet “WorldWideWeb.” Qe një ndërfaqe grafike e lehtë për t’u përdorur, e krijuar për kompjuterin NeXT. Për herë të parë dokumente tekst qenë lidhur tok përmes një rrjeti publik—që e njohim si web-i.

Një vit më vonë, Berners-Lee i kërkoi studentit të matematikës në CERN, Nicola Pellow, të shkruante Line Mode Browser, një program për terminale të thjeshtë kompjuteri.

Në 1993-shin web-i shpërtheu. Universitete, qeveri dhe korporata private, që të tërë panë mundësitë e një interneti të hapët. Gjithkush kish nevojë për programe të rinj kompjuteri për ta përdorur. Atë vit u krijua Mosaic-u, në Qendrën Kombëtare për Aplikacione Superkompjuterash (NCSA), në Universitetin e Ilinoisit Urbana-Champaign, nga informatikani Marc Andreessen. Qe shfletuesi i parë popullor dhe paraardhësi i hershëm i Mozilla Firefox-it.

NCSA Mosaic xhironte në kompjutera Windows, qe i lehtë për t’u përdorur dhe i dha gjithkujt me një PC mundësinë e përdorimit të faqeve të hershme web, dhomave të fjalosjes dhe bibliotekave të figurave. Vitin pasues (1994), Andreessen themeloi Netscape dhe hodhi në qarkullim Netscape Navigator për publikun. Qe shumë i suksesshëm dhe shfletuesi i parë për popullin. Qe gjithashtu lëvizja e parë drejt një lloji të ri lufte për përdoruesit e internetit.

Luftërat e Shfletuesve

Më 1995, Netscape Navigator s’qe rruga e vetme për të përdorur internetin. Gjiganti i software-it kompjuterik Microsoft licencoi kodin e vjetër të Mosaic-ut dhe krijoji dritaren e vet për në internet, Internet Explorer. Hedhja e tij në qarkullim nxiti një luftë. Netscape-i dhe Microsoft-i punuan në ethe për të krijuar versione të rinj të programeve të tyre, secili duke u përpjekur t’ia kalojë tjetrit me produkte më të shpejtë, më të mirë.

Netscape-i krijoi dhe hodhi në qarkullim JavaScript-in, që u dha sajteve aftësi të fuqishme përllogaritëse që nuk i kishin pasur kurrë më parë. (Ata krijuan gjithashtu famëkeqin <blink> tag.) Microsoft-i u përgjigj me Cascading Style Sheets (CSS), që u bë standard për krijim faqesh web.

Më 1997-n gjërat dolën paksa nga kontrolli, kur Microsoft-i hodhi në qarkullim Internet Explorer 4.0. Ekipi krijoi një shkronjë “e” gjigante dhe e nguli në lulishten e zyrave qendrore të Netscape-it. Ekipi i Netscape-it e rrëzoi pa humbur kohë “e”-në gjigante dhe mbi të vunë simbolin e tyre, dinozaurin Mozilla.

Mandej Microsoft-i filloi ta jepte Internet Explorer-in me sistemin e vet operativ Windows. Brenda 4 vjetësh, pati 75% të tregut dhe më 1999-n pati 99% të tregut. Pas kësaj lëvizjeje, shoqëria u përball me padi antitrust dhe Netscape-i vendosi ta kalojë kodin nën burim të hapët dhe krijoi Mozilla-n jofitimprurës, e cila filloi të krijojë dhe hedhë në qarkullim Firefox-in më 2002-in. Duke kuptuar se pasja e një monopoli shfletuesish s’qe në interesin e përdoruesve dhe të web-it të hapur, Firefox-i u krijua për të dhënë zgjedhje për përdoruesit e internetit. Më 2010, Mozilla Firefox-i dhe të tjerë patën ulur përqindjen e Internet Explorer-it në treg në 50%.

Të tjerë konkurrentë dolën në skenë nga fundi i viteve ‘90 dhe fillimet e 2000-shit, përfshi Opera, Safari dhe Google Chrome. Microsoft Edge zëvendësoi Internet Explorer me hedhjen në qarkullim të Windows 10-s më 2015-n.

Shfletimi Sot

Sot ka vetëm një dorë rrugësh për të përdorur internetin. Firefox, Google Chrome, Microsoft Edge, Safari and Opera janë konkurrentët kryesorë. Pajisjet celulare gjatë dhjetëvjeçarit të fundit u shfaqën si rruga e parapëlqyer për përdorimin e internetit. Sot, shumica e përdoruesve të internetit, për punë në internet përdorin vetëm shfletues për celular dhe aplikacione. Ka versione për celular të shfletuesve kryesorë për pajisje iOS dhe Android. Teksa këto aplikacione janë shumë të dobishme për qëllime specifike, ato japin hyrje të kufizuar në web.

Në të ardhmen, web-i do t’u largohet edhe më rrënjëve të veta hipertekst, për t’u bërë një det i madh punimi ndërveprues. Realiteti virtual ka qenë në horizont për dhjetëvjeçarë (të paktën që me hedhjen në qarkullim të Lawnmower Man më 1992-n dhe Nintendo Virtual Boy më 1995), por web-i mund ta sjellë më në fund për masat. Firefox tani mbulon WebVR dhe A-Frame, që u lejojnë zhvilluesve të krijojnë shpejt dhe lehtë sajte realiteti virtual. Shumica e pajisjeve celulare moderne mbulojnë WebVR dhe mund të përdoren lehtësisht si “headsets” me kuti të thjeshta kartoni. Një web realiteti virtual 3D, si ai i përfytyruar nga autori i letërsisë fantastiko-shkencore Neal Stephenson mund të jetë një hap larg. Nëse është kështu, shfletuesi mund të zhduket plotësisht dhe të bëhet një dritare e vërtetë në një botë tjetër.

Çfarëdo që të fshehë e ardhmja e web-it, Mozilla dhe Firefox-i do të jenë të pranishëm për përdoruesit, duke siguruar pasjen e mjeteve të fuqishme për punim në web dhe për krejt çka mund ofrojë ky. Interneti është për këdo dhe kushdo duhet të ketë kontroll mbi punën e vet në internet. Kjo është arsyeja pse japim mjete Firefox për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve dhe pse nuk shesim kurrë të dhëna përdoruesish për reklamues.

Burime

Merrni në dorë kontrollin e shfletuesit tuaj.

Shkarkoni Firefox-in

Firefox nuk mbulohet më në Windows 8.1 e më poshtë.

Ju lutemi, që të përdorni Firefox-in shkarkoni Firefox ESR (Hedhje Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar).

Firefox nuk mbulohet më në macOS 10.14 e më poshtë.

Ju lutemi, që të përdorni Firefox-in shkarkoni Firefox ESR (Hedhje Në Qarkullim Me Mbulim të Zgjeruar).

Shënim Privatësie në Firefox