Pyetje të Bëra Shpesh

Cilat janë projektet kyçe të Mozilla-s për vitin e ardhshëm?

Produkti ynë kryesor, shfletuesi Web Firefox, është dhe do të vazhdojë të jetë një levë themelore për shpënien përpara të Web-it dhe të misionit të Mozilla-s. Firefox-i për Android është shfletuesi ynë popullor për celularët dhe që sot gëzon një vlerësim mesatar 4.5 yje te Google Play.

Firefox OS është i pari sistem operativ vërtet i hapur për pajisje celulare, që sjell të njëjtën siguri, privatësi, përshtatje dhe kontroll nga përdoruesi që njerëzit janë mësuar të presin prej shfletuesit Firefox. Mozilla ka krijuar teknologjitë dhe API-t për ta bërë Web-in një platformë të pasur dhe të leverdishme për industrinë e pajisjeve celulare. Me mbështetjen e partnerëve të vyer nga ekosistemi i celularëve, telefonat Firefox OS tani janë në shitje në 10 tregje nëpër botë (deri në mes të Nëntorit 2013), dhe Mozilla do të vazhdojë të çojë përpara zhvillimin dhe birësimin e tij.

Me programin Mozilla Webmaker, po synojmë të kalojmë miliona njerëz nga përdorues të Web-it në krijues aktivë në Web që do të krijojnë gjërat e mëdha të së ardhmes. Synimi është të krijohet një planet me më tepër dije mbi Web-in, përmes mjetesh dhe programe mësimi që ushqejnë krijimtarinë e njerëzve të krejt moshave.

Si e matni suksesin?

Te Mozilla suksesin e matim me atë se sa kemi bërë për të përmirësuar shëndetin e Web-it në përgjithësi dhe për të shpënë përpara interesat e përdoruesve dhe programuesve. Jemi të suksesshëm kur krijojmë produkte që njerëzit i duan, dhe kur organizma të tjerë i bëjnë pjesë të produkteve të tyre konkurruese anët dhe veçoritë që kemi nën përkujdesjen tonë.

Ndryshe nga konkurrentët tanë më me peshë, Mozilla suksesin e arrin kur ndihmon më shumë njerëz të zgjedhin vetë se çfarë programi duan të përdorin, ç’shkallë pjesëmarrjeje dëshirojnë të kenë në botën e internetit, dhe se si të marrin pjesë në ndërtimin e një Interneti më të mirë. Kur shohim rritje te kontribuesit e bashkësisë, te përkthimi i software-it, dhe një treg konkurrues të shfletuesve, fjala vjen, e dimë që po bëjmë përpara në synimet tona.

Sa qenë të ardhurat gjithsej të Mozilla-s për 2012-n?

Të ardhurat e raportuara të Mozilla-s (Mozilla Foundation dhe krejt nëndegët) për 2012 qenë 311 milionë dollarë amerikanë, afërsisht 90 përqind më shumë se sa 163 milionëshi i 2011-s.

Nga i nxjerr të ardhurat Mozilla?

Pjesa dërrmuese e të ardhurave të Mozilla-s vjen nga mekanizmat e kërkimit dhe tregtisë të përfshira te produkti ynë Firefox përmes krejt partnerëve me peshë në fushën e kërkimeve në Internet, përfshi Google, Bing, Yahoo, Yandex, Amazon, Ebay dhe të tjerë. Te të ardhurat e raportuara të Mozilla-s përfshihen edhe dhurime dhe grante shumë të rëndësishme, nga individë ose korporata, dhe që po rriten në mënyrë domethënëse, si dhe të tjera forma të ardhurash nga asetet tona të investueshme.

A jeni duke shqyrtuar mundësi partnerizimesh për të diversifikuar rrjedhën tuaj të të ardhurave?

Kemi tashmë disa partneritete të rëndësishëm biznesi dhe po eksplorojmë hap pas hapi mundësi të reja partneriteti, si dhe mundësi të tjera potenciale për gjenerim të ardhurash. Ne do të vazhdojmë të krijojmë produkte të shkëlqyer që u lejojnë njerëzve të shijojnë pasurinë e Internetit, dhe kemi besim se kjo do të na lejojë të pikasim burimet e përshtatshme të të ardhurave, që u shërbejnë si misionit tonë, ashtu edhe përdoruesve tanë.

Disa projekte të rëndësishëm të Mozilla Foundation-it, të tillë si Lightbeam-i kanë marrë grante nga organizma si Ford Foundation-i.

Të ardhurat nga Google janë rritur dukshëm që prej 2011-s. Ç’ndryshoi në këtë marrëdhënie?

Partnerët tanë për kërkimin caktohen përmes kontratash shumëvjeçare. Afër fundit të çdo kontrate, Mozilla diskuton çmime me vlerën e tregut prej shumë mundësuesish kërkimesh, bazuar në vlerën e tanishme dhe të ardhshme të produkteve që ofrojmë. Në fund të 2011-s, Mozilla diskutoi një marrëveshje të re me Google-in bazuar në rritjen dhe ndikimin e shfletuesit tonë Firefox për desktop.

Si i shpenzon Mozilla paratë e veta?

Mozilla investon si në njerëz, ashtu edhe në produkte, për të shpënë më tej misionin tonë të mbajtjes së Web-it të hapur dhe për ruajtjen e ndikimit tonë në fushat e Internetit. Ne vazhdojmë të shpenzojmë një shumicë domethënëse të harxhimeve tona për staf teknologjish dhe programimesh, dhe së fundi kemi shtuar edhe shpenzimet për marketingun e grupeve të rinj të produkteve. Gjatë pak viteve të fundit, vëmendja e Mozilla-s për investimet në zona të reja, të tilla si produkte tona për celular dhe shërbimet re, ka qenë e fortë. Veçanërisht, hedhja në treg e Firefox OS-it dhe përmirësime të rëndësishme të Firefox-it tonë për Android e kanë shpënë më tej synimin tonë për hapjen e ekosistemit të celularëve ndaj përdoruesve dhe programuesve anembanë.

Deklarimi i taksave dhe dokumentet financiare të Mozilla-s për vitet e mëparshme gjenden të gjitha për këdo te ky sajt.

Cila është gjendja e partneriteteve të organizmit lidhur me kërkimet?

Deri më sot kemi partneritete me një numër mundësuesish kërkimi që ndryshojnë sipas tregjeve. Në Dhjetor të 2011-s, bëmë të ditur një marrëveshje të re me Google-in, si mundësuesi parazgjedhje i kërkimeve te Firefox-i, e cila zgjerohet për të paktën tre vjet të tjerë. Kushtet specifike të kësaj marrëveshjeje tregtare janë subjekt i kërkesave tradicionale të ruajtjes së sekretit, dhe nuk na lejohet t’i bëjmë të ditura.

Si fiton para Mozilla me Firefox OS-in?

Pajisjet e para me Firefox OS u hodhën në shitje në Korrik të 2013-s, pra janë në faza shumë të hershme të zhvillimeve në treg dhe thithjes nga përdoruesit. Vëmendja e Mozilla-s në këtë kohë është te ofrimi përdoruesve i një punimi më të mirë dhe te nxitja e ngazëllimit të programuesve, jo te realizimi i fitimeve prej Firefox OS-it.

Çfarë ju bën të mendoni se mundeni të çani tregun e telefonave të mençur që ka tashmë qartazi dy lojtarë zotërues?

Ka një kërkesë shumë të lartë në tregjet e reja për teknologji telefonash të mençur me një çmim të arsyeshëm pa subvencion kontratash afatgjata nga operatorët. Duke përdorur teknologji Web, Firefox OS-i dhe aplikacionet për të janë një shkallë më afër hardware-it, ndaj lyp më pak kujtesë dhe CPU për të arritur funksionim shumë të mirë. Përfundimi është një funksionim i plotë Web i arritshëm për mjaft përdorues telefonash të zakonshëm celularë, duke u dhënë mundësinë të blejnë telefonin e tyre të parë të mençur.

Firefox OS-i – hedhur në qarkullim në 10 tregje dhe me shtrirje të mëtejshme – përfiton nga ekosistemi dixhital më i madh ekzistues: Web-i. Ne besojmë që Web-i është platforma më e mirë për risi, për lidhje, për ndarje me të tjerët dhe për ndërtimin e botës që duam.

Sa operatorë partnerë ka Mozilla për Firefox OS-in?

Mozilla ka bërë të ditur mbështetje të Firefox OS-it nga 18 operatorë të rëndësishëm nga i gjithë globi: América Móvil, China Unicom, Deutsche Telekom, Etisalat, Hutchison Three Group, KDDI, KT, MegaFon, Qtel, SingTel, Smart, Sprint, Telecom Italia Group, Telefónica, Telenor, Telstra, TMN dhe VimpelCom. Deri në mes të Nëntorit, 2013, telefonat e mençur me Firefox OS janë në shitje komercialisht përmes Telefónica-s dhe Deutsche Telekom-it në 10 tregje të Amerikës Latine dhe Europës.

Cilët prodhues i prodhojnë pajisjet Firefox OS?

Deri në mes të Nëntorit 2013, ka në shitje tre telefona Firefox OS të ndryshëm: ZTE Open, ALCATEL ONE TOUCH Fire, dhe LG Fireweb. Huawei është zotuar gjithashtu për prodhim telefonash të mençur Firefox OS, dhe Foxconn njoftoi në Qershor 2013 se ka në plan të krijojë një gamë pajisjesh Firefox OS. Presim të njoftojmë së shpejti mbulim OEM të mëtejshëm.

Kur pritet të shohim pajisje në tregun e Shteteve të Bashkuara?

Koha e hedhjes në treg të telefonave me Firefox OS për konsumatorë në Shtetet e Bashkuara varet nga partnerët tanë operatorë dhe prodhues, dhe po e eksplorojmë aktivisht këtë mundësi, por tani për tani nuk kemi plane specifike për njoftim.

Cilat janë parashikimet tuaj për rritje gjatë 2013-s në sektorët desktop, celularë, OS?

Nuk japim parashikime ose hamendësime tani për tani.

Mozilla është bërë më aktive në çështje politikash. Loboni tani?

Mozilla nuk është një operacion lobimi. Pavarësisht kësaj, mbajmë qëndrime të vendosura kur vjen puna për shëndetin e Web-it dhe të përdoruesve të tij.

Për probleme të tilla si SOPA/PIPA, CISPA, dhe tani më afër zbulimi i survejimeve qeveritare, Mozilla ka shprehur mendimin e vet, është përpjekur të edukojë përdoruesit dhe ka ndërmarrë hapa për katalizimin e veprimit në bazë. Si me shumicën e çështjeve të rëndësishme, besojmë se edukimi, dëgjimi dhe dialogu mes aktorëve në lojë janë kritike për gjetjen e zgjidhjeve. Mozilla ka dëshmuar përpara organizmash qeveritare dhe ka furnizuar te një numër agjencish dhe OJQ-sh opinionet e veta mbi fuqizimin e Internetit. Shtesa jonë për Firefox, Lightbeam, synon të edukojë përdoruesit lidhur me çështje të privatësisë në jetën e tyre në internet.

Përpjekjet e Mozilla-s kanë sjellë emërtimin si Kompania Internet Më e Besueshme për Privatësinë në 2012-n, sipas një studimi të kryer nga Ponemon Institute.