Web Për Të Gjithë

Ndërkohë që Web-i zgjerohet për të mbërritur te miliarda persona të rinj dhe e prek jetën tonë sipas rrugësh të reja, ai është bërë pjesë thelbësore e rritjes sonë si individë dhe e të ardhmes së përbashkët. Dhe ky është Web-i që bashkësia Mozilla është zotuar të mbrojë dhe promovojë: një platformë që ofron për të tërë mundësi, lidhje dhe frymëzim.

Parimet tona i vëmë në jetë duke krijuar produkte, duke fuqizuar bashkësi, duke u mësuar të tjerëve aftësi dhe duke u dhënë formë mjediseve me qëllim ndërtimin e Internetit që i duhet botës.

Në Mbledhjen e Mozilla-s për këtë vit, 2000 persona përfaqësues të 90 vendeve dhe 114 gjuhëve u mblodhën për të zhvilluar një kuptim të përbashkët se cilët jemi dhe çfarë mund të arrijmë bashkë. Më poshtë gjendet një shembull perspektivash nga drejtuesit e projektit.

Nga Moxillianët

Moxillianët janë një grup i larmishëm konceptuesish, ndërtuesish, edukatorësh dhe hacker-ësh me një qëllim të përbashkët: t’i sjellin Internetit hapje, liri dhe pjesëmarrje. Përpjekja jonë e përbashkët mbarëbotërore e shpuri Firefox OS-in brenda dy vjetësh nga koncepti te telefonat në treg, organizoi 1600 veprimtari brenda tre muajsh për t’u mësuar njerëzve Web-in, dhe mjaft arritje të tjera. Po kremtojmë udhëtimin tonë dhe shtegun premtues që kemi përpara.

Qëndrueshmëri

Bashkë me këtë raport vjetor, po japim edhe auditimin financiar për 2012-n. Mozilla vazhdon të jetë e pozicionuar mirë, si financiarisht, ashtu edhe organizativisht, për të shpënë më tej misionin tonë.

Pjesa dërrmuese e të ardhurave tona vijnë nga funksione kërkimi te shfletuesi Firefox përmes një numri partnerësh të rëndësishëm, përfshi Google-in, Bing-un, Yahoo-në, Yandex-in, Amazon-ën dhe eBay-in. Ky raport financiar për 2012-n përfshin të ardhura nga një marrëveshje tregtare me përfitim dyanësh me Google-in, mundësuesi ynë më i madh i kërkimeve, që u nënshkrua në Dhjetor të 2011-s dhe që zgjerohet për të paktën tre vjet të tjerë.

Një përqindje në rritje e të ardhurave tona vijnë gjithashtu prej përkrahjes nga publiku, përfshi grante dhe dhurues individualë si ju. Këto dhurime përdoren drejtpërdrejt për projekte të rëndësishme si Webmaker, Open Badges dhe Mozilla-Knight Open News që zgjerojnë ndikimin e Mozilla-s të fusha të reja.