Më e Lehtë T’ia Filloni

Mekanizmi i Rregullimit të një Llogarie Poste

Përpara shfaqjes së kësaj veçorie, duhej të dinit rregullimet për IMAP, SMTP, SSL/TLS për llogarinë tuaj. Krejt çka lypset të jepni tani është emri juaj, adresa email dhe fjalëkalimi, dhe mekanizmi i ri për rregullimin e llogarisë email do të kërkojë në bazën tonë të të dhënave që të gjejë për ju rregullimet e nevojshme për email-in.

Libër Adresash Me Një Klikim

Libri i Adresave Me Një Klikim është një rrugë e shpejtë dhe e lehtë për të shtuar dikë te libri juaj i adresave. Shtoni persona thjesht duke klikuar mbi ikonën yllkë të mesazhit që merrni. Dy klikime dhe do shihni më tepër hollësi, p.sh. foto, datëlindje, dhe të tjera të dhëna kontakti.

Kujtues Bashkëngjitjesh

Kujtuesi i bashkëngjitjeve sheh për fjalën bashkëngjitje (dhe fjalë të tjera, të tilla si: lloj kartelash) te trupi i mesazhit tuaj dhe ju kujton ta shtoni bashkëngjitjen përpara se të shtypni butonin e dërgimit.

Skeda dhe Kërkime

Skeda

Nëse ju ka pëlqyer shfletimi me skeda te Firefox-i, do bini në dashuri me email-in me skeda. Email-i me skeda ju lejon të ngarkoni email-e në skeda të veçanta, e kështu mund të hidheni nga njëri te tjetri me lehtësi. Fjala vjen, po i përgjigjeni një email-i dhe keni nevojë të shihni për një çast një email më të vjetër. Email-i me skeda bën të mundur të mbani hapur shumë skeda, për t’u orientuar lehtë.

Dyklikimi ose shtypja e butonit Enter mbi një mesazh poste do ta hapë atë mesazh në një dritare skede të re. Djathtasklikimi mbi mesazhe ose dosje do t’i hapë ato në një skedë në prapaskenë.

Kur dilet nga Thunderbird-i, skedat e dukshme do të ruhen e do të risillen kur të hapni Thunderbird-in herës tjetër. Ka gjithashtu një menu të re Skedash te paneli i Skedave, për t’ju ndihmuar në kalimin nga një skedë në një tjetër.

Panel Filtrimesh të Shpejtë

Paneli i Filtrimeve të Shpejta ju lejon të filtroni më shpejt email-et tuaj. Filloni të shtypni fjalë te kutiza e kërkimit me Filtrim të Shpejtë dhe përfundimet zënë e shfaqen menjëherë. Ose mund t’i filtroni email-et tuaj sipas Mesazhesh të Rinj, Etiketash, apo personash te Libri juaj i Adresave. Mundeni gjithashtu ta "Fiksoni" ose ruani një Filtër dhe ta përdorni nëpër shumë dosje.

Kërkim

Ndërfaqja për kërkime te Thunderbird-i përmban mjete filtrimi dhe rrjedhe kohore që të merreni saktësisht me email-in që po kërkoni. Gjithashtu Thunderbird-i krijon dhe përkujdeset për një tregues të krejt email-eve tuaj, për t’ju ndihmuar të kërkoni edhe më shpejt. Përfundimet e kërkimeve tuaja shfaqen në një skedë, që kështu të mund hidheni sa te përfundimet, sa te email-e të tjera.

Arkiv Mesazhesh

Po qe se mendoni se një email do t’ju duhet në të ardhmen, por nuk doni ta mbani te kutia juaj e postës e as ta fshini, arkivojeni! Arkivimi ju ndihmon të administroni kutinë tuaj postare dhe t’i vendosni email-et tuaj në një sistem të ri dosjesh arkiv.

Arkivimi i email-eve tuaj bëhet duke përzgjedhur butonin Arkiv ose duke shtypur tastin "A".

Përgjegjës Veprimtarie

Përgjegjësi i Veprimtarisë regjistron në një vend krejt ndërveprimet mes Thunderbird-it dhe mundësuesit të email-it tuaj. Nuk ka më hamendësime. Lypset të vështroni vetëm në një vend, për të parë gjithçka ndodh me email-in tuaj.

Personalizojeni Punimin me Email-et

Pamja & Ndjesitë nga Thunderbird-i

Me Persona-t, "lëkurçe" të lehta, keni mundësinë të ndryshoni në çast pamjen dhe ndjesitë që ju jep Thunderbird-i. Ka qindra lëkurçe, me temë nga filmat më të rinj, vende të famshme, apo tatu japoneze. Mund të zgjidhni edhe prej disa Temave, që shërbejnë për veshjen e krejt ikonave të ndryshme në Thunderbird.

Dosje të Mençura

Dosjet e Mençura ju ndihmojnë të administroni njëherazi shumë llogari email-esh, duke ndërthurur dosje speciale si Të marrët, Të dërguarit, ose Arkiv. Në vend që të shkoni te Të marrët për secilën llogari poste, mund të shihni tërë email-et ardhës në një dosje Të marrë.

Përgjegjës Shtesash

Gjeni dhe instaloni shtesa drejt e te Thunderbird-i. Nuk keni më nevojë të vizitoni sajtin e shtesave — në vend të kësaj, thjesht hapni Përgjegjësin e Shtesave. S’jeni i sigurt se cila shtesë bën për ju? Vlerësimet, rekomandimet, përshkrimet dhe fotot e shtesave në punë e sipër, ju ndihmojnë të bëni përzgjedhjen tuaj.

Bëjeni të Sigurt dhe Mbrojeni Email-in Tuaj

Privatësi e Fuqishme

Thunderbird-i ofron mbulim të privatësisë së përdoruesit dhe mbrojtje nga figura të largëta. Për të garantuar privatësinë e përdoruesit, Thunderbird-i i bllokon vetvetiu figurat e largëta te mesazhet email.

Mbrojtje Nga Karremëzimi

Thunderbird-i ju mbron nga email-e mashtrues të cilët përpiqen ta rrejnë përdoruesin e ta bëjnë të japë vetë të dhëna personale dhe me spec, duke bërë shenjë kur një mesazh është përpjekje potenciale karremëzimi. Si vijë e dytë mbrojtjeje, Thunderbird-i ju sinjalizon kur klikoni mbi një lidhje që duket se ju shpie te një tjetër sajt nga ai që tregohej te URL-ja në mesazh.

Përditësime të Automatizuara

Sistemi i përditësimit të Thunderbird-it kontrollon për të parë nëse xhironi versionin më të ri, dhe ju njofton kur ka gati përditësim sigurie. Këto përditësime sigurie janë të vegjël (zakonisht 200KB - 700KB), dhe ju japin vetëm çfarë ju duhet, duke i bërë përditësimet e sigurisë të shpejta në shkarkim dhe në instalim. Sistemi i automatizuar i përditësimeve ofron përditësime për Thunderbird-in nën Windows, macO dhe Linux, në mbi 40 gjuhë të ndryshme.

Qërim i të Pavlerave

Mjetet e njohura të Thunderbird-it për kontrollin e postës së pavlerë janë përditësuar që të jenë më para se posta e pavlerë. Çdo email që merrni kalon nëpër filtrat e Thunderbird-it për postën e pavlerë, nga më të mirët e llojit. Çdo herë që e shënoni një mesazh si të pavlerë, Thunderbird “nxë” dhe përmirëson filtrimin e tij, që kështu kohën ta harxhoni me leximin e postës që ka vlerë. Për ta mbajtur jashtë kutisë suaj postare postën e pavlerë, Thunderbird-i mundet gjithashtu të përdorë filtrat e mundësuesit tuaj të email-it për postë të pavlerë.

Burim i Hapur

Në zemër të Thunderbird-it është një proces zhvillimi me burim të hapur, i shpënë përpara nga mijëra zhvillues dhe ekspertë sigurie të pasionuar dhe të sprovuar, shpërndarë anembanë botës. Të qenët i hapët dhe bashkësia jonë aktive e ekspertëve ndihmojnë në garantimin e produkteve tona si më të sigurta dhe të përditësueshme shpejt, ndërkohë që na lejojnë të përfitojmë nga mjetet më të mira palësh të treta për kontrolle dhe vlerësime sigurie, për ta fuqizuar më tej sigurinë e përgjithshme.