Merrjani Dorën Web-it

Seria Merrjani Dorën i ngjan një doracaku përdoruesi për Internetin: vendi ku të mësoni gjërat e përgjithshme dhe ndihmëzat më të dobishme nga programues dhe hartues të rregullave në Mozilla.

Pyetni veten

  1. A ju duket se e keni kontrollin mbi të dhënat tuaja personale në internet?

  2. E dini se ç’është një cookie (jo, jo ajo gjëja e shijshme)?

  3. E keni pyetur ndonjëherë veten pse ca lëndë, të tilla si reklamat, duket se ju ndjekin pas gjithë kohën?

Ç’është gjurmimi?

Sa herë që jemi të lidhur në internet, lëmë pas gjurmë të veprimtarisë tonë. Shpesh quhen “gjurmët tona dixhitale” dhe me të drejtë, ngaqë gjurmimi ngjan me rishkelje në gjurmët tona. Por gjurmët tona dixhitale zbulojnë rreth nesh më tepër gjëra se sa thjesht ku kemi qenë — gjithçka që shtrihet nga parapëlqimet tona deri te identiteti ynë.

Që të keni një ide të afërt se si funksionon gjurmimi, mos harroni të shihni episodin e parë të serive dokumentare të Brett Gaylor-it, Mos Më Gjurmo.

Si kryhet gjurmimi

Le të përfytyrojmë një ditë të zakonshme në internet: ia filloni duke kontrolluar email-et, ndoshta edhe duke ndarë me të tjerët një artikull zbavitës që sapo lexuat. Gjatë drekës, shihni oraret e shfaqjeve për një film që një shok jua këshilloi në Facebook dhe shihni çmimet për disa artikuj të rinj kampingu që keni në mendje.

Këto janë vetëm pak sajte, por çfarë ndodh në prapaskenë është që shumë më tepër “palë të treta” — kompani që janë të ndara nga sajtet që vizituat — shohin dhe regjistrojnë veprimtarinë tuaj.

Kështu që kur më vonë, po atë ditë, filloni të shihni artikuj të rekomanduar mbi atë film, apo reklama për ata artikujt e kampingut, s’është rastësi.

Gjurmim për personalizim

Sajtet që vizitojmë shpesh, grumbullojnë të dhëna rreth nesh për të personalizuar më mirë punën tonë me to. Të dhënat e mbledhura përmes analizave mund të përdoren për ta bërë më të lehtë lëvizjen në sajtet përkatës apo për të na paraqitur oferta më të afërta për ne. Ato përdorin gjithashtu cookie-t — kartela të vockla të dhënash të vendosura në shfletuesit tuaj — për të mbajtur mend parapëlqime për gjuhën apo përmbajtjen e një shporte blerjeje.

Gjurmimi pa leje

Shumë sajte që vizitojmë, përmbajnë palë të treta të fshehura — të tilla si rishitës të dhënash, rrjete afiliacioni dhe rrjete reklamash — që përdorin cookies dhe të tjera metoda gjurmimi të dhënash, për të grumbulluar pa lejen tonë informacion rreth zakoneve tona të shfletimit. Edhe pse gjurmimi mund të jetë i dobishëm, s’mund të ketë një baraspeshë të shëndetshme mes vlerës që sjell dhe të dhënave që grumbullon pa transparencë.

Përtej Internetit

Gjurmimi në internet është thjesht vetëm një pjesë e një ekosistemi më të gjerë grumbullimi të dhënash. Brenda këtij ekosistemi, të dhëna internet të anonimizuara mund të përzihen me informacione të identifikueshme rreth jush (informacion që e keni dhënë vetë në një formular, në një aplikacion, ose që ka qenë grumbulluar jashtë internetit), për të ndërtuar papritmas një profil të hollësishëm tuajin.

Këto profile kanë potencial të prekin jetën tuaj jashtë internetit, dhe mund të kontribuojnë në praktika të padrejta, duke u përdorur, jashtë rolit të tyre, për diskriminim në çmime, ulje të shkallës së besimit në kredit, pagesa më të shtrenjta sigurimesh, apo raporte punësimi apo shëndetësore të pafavorshme. Edhe pse këto raste ende nuk janë të përhapura gjerësisht, ato ilustrojnë thellësinë potenciale të asaj që po ndodh në prapaskenë dhe jashtë kontrollit tonë.

Jini zot i të dhënave tuaja personale

Ka shumë mënyra për ta rifituar dhe ruajtur kontrollin e veprimtarisë suaj në internet. Ja disa këshilla të rëndësishme, të zgjedhura posaçërisht nga ekspertë të Mozilla-s.

Mendohuni më thellë

Në Internet ndodhin shumë gjëra në prapaskenë. Sa më tepër të dini, aq më mirë mund të vendosni se cilat të dhëna janë me vlerë për ju.

Kuptoni kostot e fshehura të gjësë falas

Të gjithëve na pëlqen joshja prej aplikacioneve dhe shërbimeve internet “falas”, por nëse s’po paguani ju, dikush tjetër paguan, dhe ajo çka blejnë mund të jenë të dhënat që lini ju pas. Vendosni nëse informacioni që jepni vlen sa shërbimi që po merrni.

Hidhni një rreze drite mbi gjurmuesit

Nëse jeni një përdorues Firefox-i, mos harroni t’i hidhni një sy Lightbeam-it, një shtesë e thjeshtë dhe e goditur që shfaq grafikisht thellësinë e veprimtarisë suaj të shfletimit, përfshi pjesë që zakonisht nuk janë të dukshme për ju.

Mendohuni para se të klikoni

Kur në një faqe shihni një element të tillë si “pëlqejeni”, ose një buton për hyrje në media shoqërore, kjo është shenjë që disa të dhëna janë grumbulluar tashmë mbi ju — klikimi mbi të do të bëjë të ndahen edhe të tjera.

Zgjidhni mundësinë e zgjedhjes

Është e lehtë të anashkalohet puna e hyrjes në të dhënat personale që ofrojmë përmes llogarish dhe aplikacionesh interneti, por shumica e tyre ofrojnë rregullime që ju japin mundësi zgjedhjeje dhe kontrolli.

Fshijini llogaritë që s’i përdorni

Kur një aplikacion ose shërbim mbyllet përfundimisht, të dhënat tuaja mund të shiten. Nëse s’e përdorni, mbylleni.

Mbroni profilet tuaj

Disa shërbime me të cilat ndërveproni drejtpërsëdrejti ju lejojnë të kontrolloni të dhënat që kanë rreth jush. Shfrytëzoni çfarëdo mundësie për të ndryshuar apo kontrolluar profilin tuaj, në u ofroftë. Për shembull, mund të administroni profilin dhe parapëlqimet tuaja për reklama Google, Yahoo! dhe Facebook, madje edhe të përpunoni të dhënat që janë grumbulluar rreth jush nga Acxiom, një nga rishitësit më të mëdhenj në botë për të dhëna marketingu.

Mos harroni aplikacionet

Disa aplikacione celularësh që instaloni, mund të hyjnë në mjaft të dhëna rreth jush, përfshi hollësi që jo doemos lidhen me shërbimin që ata ofrojnë. Kontrolloni rregullimet mbi privatësinë dhe vendin në iOS dhe Android.

Shihni te shfletuesi juaj

Shumica e shfletuesve ofrojnë një grup veçorish mbi privatësinë, të konceptuar për t’ju dhënë kontroll. Ja disa nga më kryesorët që mund të shfrytëzoni.

Mos Më Gjurmo

Me këtë veçori të aktivizuar, shfletuesi juaj do t’u tregojë shërbimeve të mediave shoqërore, botuesve, ofruesve të analizave, reklamuesve dhe rrjeteve të palëve të treta se dëshironi të liheni jashtë gjurmimit.

Mozilla qe kompania e parë që përfshiu një mekanizëm Mos Më Gjurmo, kur e shtoi te Firefox-i më 2011-n. Që atëherë, është adoptuar nga shumica e shfletuesve të njohur, edhe pse mjaft kompani, në krahun ku mbërrijnë kërkesat, ende nuk i plotësojnë ato. Nga grupe mbrojtjeje në Internet po bëhen përpjekje që kjo gjendje të ndryshojë.

Mësoni se si të aktivizohet Mos Më Gjurmo-ja në Firefox, Chrome, Internet Explorer/Edge dhe Safari.

Shfletim Privat

Përdoreni Shfletimin Privat kur nuk doni që disa gjëra nga veprimtaria juaj e shfletimit të ruhen lokalisht. Këtu përfshihet historiku i shfletimeve, kërkimet dhe cookie-t.

Ja se si ta përdorni shfletimin privat:

Rregullime të tjera privatësie

Shumë shfletues ofrojnë një gamë rregullimesh privatësie që mund t’ju ndihmojnë të jeni gjithnjë në kontroll. Eksplorojini këtu:

Ndani me të tjerët zotësinë tuaj mbi gjurmimin

Tani që keni disa mjete dhe njohuri se si të mbroni vetveten, tregojuani ato shokëve. Sa më shumë të dijë cilido mbi gjurmimin dhe se si të mbrojë të dhënat e veta në internet, aq më mirë për të tërë ne. Për ta mbajtur të ndezur debatin, mund të përdorni pyetjet më poshtë!

  1. Ç’rregullime privatësie përdorni në shfletuesin tuaj? Tweet this

  2. Sa i gatshëm jeni të ndani gjëra rreth vetes, si shkëmbim me lëndë të personalizuar? Tweet this

  3. E keni përdorur ndonjëherë shfletimin privat? Tweet this