Merrjani Dorën Web-it

Seria Merrjani Dorën i ngjan një doracaku përdoruesi për Internetin: vendi ku të mësoni gjërat e përgjithshme dhe ndihmëzat më të dobishme nga programues dhe hartues të rregullave në Mozilla.

Pyetni veten

Nëse s’jeni nën hetim, a do të duhej të ishte në gjendje qeveria:

  1. të mbikëqyrë thirrjet tuaja telefonike?

  2. të lexojë email-et tuaj dhe të shohë fotot tuaja?

  3. të shohë se për çfarë kërkoni në Web?

Shpjegim i survejimit nga qeveria

Përgjimi ka qenë gjithmonë një mjet thelbësor për zbatimin e ligjit dhe sigurinë kombëtare. Dallimi tani është se kanë kapërcyer dylbitë, çimkat dhe të ligjtë: survejimi është bërë dixhital. Krejt të dhënat që krijojmë përmes veprimtarisë sonë të përditshme në Internet, u lejojnë qeverive të mbajnë nën vëzhgim shumë njerëz njëherësh, me shpresë se mos kapin ata që merren me punë të mbrapshta. Kësaj i thonë të kërkosh gjilpërën në kashtë.

Të dhënat e depozituara janë të dhëna të pambrojtura

Me qëllim që t’jua bëjë sa më personal punimin, thuajse çdo kompani teknologjike me të cilën ndërveproni, grumbullon dhe depoziton një sasi informacionesh tuajat personale. Në disa rrethana, këto kompani mund të detyrohen t’ua japin të dhënat tuaja qeverive.

Atëherë ç’do të duhej të bënin kompanitë? Ato mund t’i dalin të keqes përpara në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve, duke e kufizuar grumbullimin e të dhënave në aq sa u duhen, duke i bërë të dhënat anonime kudo që është e mundur, dhe duke fshirë të dhëna që s’u duhen më. Kjo është ajo që praktikojmë ne në Mozilla.

Zgjidhja: Mbrojtja

Kur survejimi është shumë i përgjithshëm, ose s’parashikon mjete mbrojtëse – fjala vjen, autorizim nga një gjykatës – me të mund të abuzohet, qoftë padashur, qoftë qëllimisht. Dhe këtu në lojë është privatësia jonë. Që të mbrohet liria jonë personale dhe të ruhet besimi ynë te Interneti, ekipi i Mozilla-s për rregullat propozon që survejimi i qeverisë duhet të ndjekë tre parime themelore:

Ndikim minimal

Duhen bërë përpjekje për të grumbulluar vetëm të dhënat që duhen, pa komprometuar infrastrukturën e Internetit, sistemet e të dhënave të kompanive teknologjike, apo besimin e përdoruesve.

Përgjegjësi

Qeveritë do të duhej të mbanin përgjegjësi. Kjo do të thotë të jenë transparente dhe specifike lidhur me grumbullimin e të dhënave, dhe të përgjigjen para një mbikëqyrësi të pavarur dhe para publikut.

Siguri përdoruesi

Fshehtëzimi dhe siguria e fortë na ruajnë nga shumë lloje keqbërësish. Qeveritë s’do të duhej ta dobësonin sigurinë e të gjithëve në emër të spiunimit të nëj grushti.

Dilini të keqes përpara

Të tërë ne gëzojmë të drejtën për një jetë të pacunguar në Internet, pa patur frikë nga survejimi. Në vend që të hiqni dorë nga liria, rifitoni kontrollin.

Bëjini qëndresë

Gjëja e parë që krejt ne mund të bëjmë është t’i mbajmë sytë dhe veshët hapur – dhe ta ngremë zërin.

Informohuni

Filloni me një kërkim të thjeshtë në internet, për t’u njohur me pozicionin e qeverisë suaj lidhur me survejimin, që kështu të mund të merrni vendime të bazuara lidhur me privatësinë tuaj.

Jini i përditësuar

Pajtohuni te buletini i Mozilla-s (vetëm në anglisht). I ndjekim aktivisht problemet e survejimit në masë dhe të tjera kërcënime ndaj Web-it, kështu që do t’ju vëmë në dijeni rreth mundësish për të ngritur zërin.

Mbyllni grilat

Këto hapa të shpejtë mund t’ju mbrojnë prej praktikash të tepruara survejimi.

Bëni kujdes kur shfletoni

Shihni gjithmonë për shenjën e drynit te shtylla e adresave të shfletuesit tuaj. Mësoni më tepër.

Mbylljani syrin kamerës

Vini diçka para kamerës tuaj web, kur nuk e përdorni.

Mendjen te Wi-Fi-i

Bëni kujdes kur përdorni një rrjet Wi-Fi publik. Mësoni më tepër.

Ndërroni bravat

Fjalëkalimet janë një mjet i rëndësishëm për mbulimin e të dhënave ndaj syve përgjues.

Zgjidhni PIN-e dhe fjalëkalime të fuqishëm.

Ja disa këshilla nga Mozilla për krijimin e një fjalëkalimi të fuqishëm për çdo pajisje dhe llogari. Dhe bëjeni zakon të ndryshoni fjalëkalimet tuaj një herë në vit.

Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim gjithandej

A do të përdornit të njëjtin çelës për portën e shtëpisë, makinën, dhe kasafortën? Ka shumë të ngjarë që jo. Më mirë përdorni një përgjegjës fjalëkalimesh. See instructions for Firefox, Chrome, Internet Explorer, Safari and Opera.

Zgjidhni dyhapëshin

Për mbrojtjen më të mirë, përfitoni nga mirëfilltësimi dyhapësh, kurdo që ky ofrohet. Mësoni më tepër.

Provoni fshehtëzimin

Fshehtëzimi i ngjan ca maskimit të frekuencave: e shndërron informacionin në kode që mund të lexohen vetëm nëse keni kyçin e duhur.

Asnjë software nuk furnizon mbrojtje të përsosur nga spiunimi, por programuesit e Mozilla-s rekomandojnë këto mjete të lehta fshehtëzimi, për ta shpënë sigurinë tuaj në Internet më tej se fillestarja.

Aplikacione telefonash

Këto aplikacione përdorin fshehtëzimin për t’i bërë të sigurta thirrjet tuaj telefonike, komunikimet tuaja me tekst, figura dhe video.

Android
iOS

Fshehtëzim pajisjeje

Përdorini në pajisjet tuaja, për t’u siguruar se sytë e vetëm që shohin të dhënat tuaja personale, janë ata që autorizoni ju.

Mac

FileVault — një mënyrë falas dhe e brendshme e sistemit (Mac) për të fshehtëzuar diskun tuaj të nisjes në Mac

Windows

Përdorni BitLocker (Windows Pro) ose një program të lirë të quajtur Diskcryptor (versione standard Windows).

Linux

Fshehtëzimi i plotë i diskut ju ofrohet kur instaloni sistemin (quhet LUKS).

Android

Shihni këtu udhëzimet për pajisjen tuaj Android.

iOS

Keni një iPhone, iPad ose iPod? Shihni udhëzimet këtu.

Lërini me gojëhapur shokët tuaj

Tani që keni mjete që ju ndihmojnë të mbroni veten, tregojuani edhe miqve. Rruga e vetme se si të merremi me këtë problem themelor të teknologjisë është të vazhdojmë diskutimin për të.

  1. Ç’do të kishit më të lehtë të ndanit me qeverinë: numrin e llogarisë tuaj bankare apo profilin tuja të ADN-së? Tweet this

  2. Sikur të kishit një kasafortë dixhitale të cilën mund ta shihni vetëm ju, ç’do të vinit në të? Tweet this

  3. A keni reshtur së ndari ca gjëra në Internet qëkur morët vesh për survejime masive nga ana e qeverive? Tweet this