Merrjani Dorën Web-it

Seria Merrjani Dorën i ngjan një doracaku përdoruesi për Internetin: vendi ku të mësoni gjërat e përgjithshme dhe ndihmëzat më të dobishme nga programues dhe hartues të rregullave në Mozilla.

Pyetni veten

  1. A kontrolloni për lidhje të sigurt kur shfletoni në Internet? Dini se si ta dalloni një të tillë?

  2. Për t’i patur të sigurta të dhënat tuaja, a bëni aq sa bëni për pronën tuaj personale?

  3. Sa fjalëkalime përdorni, dhe prej sa kohësh i keni?

Shpjegim i sigurisë kibernetike

Edhe pse të step kur e dëgjon, siguria kibernetike, në fakt, është vërtet e thjeshtë: thjesht do të thotë të mbroni veten dhe të dhënat tuaja në internet. S’i parandaloni dot të gjitha kërcënimet ndaj saj – në linjë ose jashtë linje. Por doemos që mund të minimizoni rrezikun, me pak kujdes dhe gjykim të shëndoshë.

Kjo video nga Nova Labs, PBS, ofron një kuadër të shkëlqyer rreth sigurisë kibernetike.

Tre Gjërat Që Duhen Parë

Mbrojtja e vetes fillon me njohjen e asaj për të cilën duhen hapur sytë. Ja një përmbledhje e shpejtë e tre kërcënimeve më të zakonshme të sigurisë kibernetike:

Manipulimi

Hakerët dashakeqë përdorin të gjitha llojet e hileve për të hyrë dhe shfrytëzuar të dhënat tuaja personale. Fjala vjen, karremëzimi (p.sh. një email banke i rremë, ku ju kërkohen të dhëna personale), dërgim mesazhesh të padëshiruar, llogari të komprometuara dhe email klasik i llojit “Princi Nigerian” (i njohur edhe si “sajesa 419”). Skepticizmi i shëndetshëm është miku juaj më i mirë në këtë front.

Testoni dijet tuaja mbi karremëzimet

Malware

Viruse, krimba, kuaj Troje… Këto programe të vockla të shpifura janë konceptuar ta infektojnë makinën tuaj për të bërë dëm në të, për të vjedhur të dhëna personale, për të spiunuar ose për t’ua mbushur me reklama me zor. Shmangia e malware-it nënkupton të dini se ç’bëni kur klikoni.

Sulme Rrjeti dhe Kompjuteri

Sajtet dhe rrjetet janë të cenueshëm kundrejt sulmeve, nga më i thjeshti, deri te më i sofistikuari. Ky kërcënim është më i zorshmi për t’u parandaluar. Por mund të vendosni ca pengesa shtesë mes jush dhe sulmuesve.

Ngrini rrjetin tuaj të sigurisë

Përmirësoni sigurinë tuaj në linjë me këto masa sigurie të këshilluara nga profesionistë rregullash te Mozilla.

Hapni sytë

E para, dhe më e rëndësishmja, është të bëni kujdes ku dhe kur klikoni.

Besojini intuitës

Nëse një lidhje apo një shkarkim s’duket edhe aq për të qenë, gjasat janë që vërtet të jetë ashtu. Sigurohuni që instaloni programe vetëm nga burime të besuar dhe të verifikuar, dhe mos klikoni mbi asgjë që duket sadopak e dyshimtë – edhe kur mendoni se e njihni burimin.

Bëni kujdes në publik

Kur përdorni Internetin nga një rrjet Wi-Fi publik, cilido që vendos të fusë hundët, mund të shohë një pjesë ose krejt veprimtarinë tuaj. Ndaj shmangini veprimtaritë me spec kur shfletoni në publik. Dhe, para se të ndani me të tjerët çfarëdo të dhëne, kudo në internet, mendoni se si kjo mund t’ju bënte të cenueshëm.

Mbyllini dyert me kyç

Praktikimi i fjalëkalimeve të fuqishëm janë mbrojtja juaj e vetme më e mirë kundër thuajse çdo lloji kërcënimesh në Web.

Zgjidhni PIN-e dhe fjalëkalime të fuqishëm

Ja disa këshilla nga Mozilla për krijimin e një fjalëkalimi të fuqishëm për çdo pajisje dhe llogari. Dhe bëjeni zakon të ndryshoni fjalëkalimet tuaj një herë në vit.

Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim gjithandej

A do të përdornit të njëjtin çelës për portën e shtëpisë, makinën, dhe kasafortën? Ka shumë të ngjarë që jo. Më mirë përdorni një përgjegjës fjalëkalimesh.

Zgjidhni dyhapëshin

Për mbrojtjen më të mirë, përfitoni nga mirëfilltësimi dyhapësh, kurdo që ky ofrohet. Mësoni më tepër.

Në rast urgjence

Ja se ç’të bëni nëse mendoni se llogaria juaj është komprometuar.

Ndreqeni para se të prishet

Përditësimet e software-it janë si ndërrimi i vajit në automjete ­– bezdi për çastin, por shpëtimtare, parë në perspektivë. Përditësojini aplikacionet dhe pajisjet rregullisht, që të përfitoni nga thellimet më të reja dhe të më mira që programuesit bëjnë për sigurinë.

Instaloni një sistem sigurie

Tani që i morët vesh bazat, përvishjuni punës. Këto programe parandalojnë të papriturat kibernetike dhe ju mbrojnë prej tyre.

Software anti-virus

S’ka për t’ju mbrojtur nga gjithçka, por është një fillim i mirë. Ja dy mundësi falas:

Shtesa Firefox-i

Këto shtesa do t’ju ndihmojnë të identifikoni çfarë klikoni, përpara se të klikoni:

  • Long URL please — zëvendëson shumicën e URL-ve të shkurtuara me origjinalin, që kështu të shihni se ku shpien
  • URL Tooltip — shfaq se ku shpie një lidhje, kur vendoset kursori mbi të

Lërini me gojëhapur shokët tuaj

Sa më shumë që bisedoni, ndani me të tjerët ndihmëzat dhe jini syhapur për sigurinë kibernetike, aq më të parrezikuar jemi. Vazhdojeni bisedën me bashkësinë tuaj në media shoqërore, në shtëpi — ndoshta madje edhe te një pikë publike Wi-Fi në aeroport.

  1. Sa fjalëkalime përdorni në Internet? Tweet this

  2. Ç’lloj praktikash sigurie përdorni në internet? Tweet this

  3. Nga 1 në 10, sa i parrezikuar ndiheni në Internet? A e keni përherë të qartë nëse janë të sigurta apo jo veprimtaritë tuaja? Tweet this