Mbi Lightbeam-in

Si punon shtesa

Lightbeam-i vizualizon marrëdhëniet mes sajteve që ju vizitoni dhe atyre nga palë të treta që janë aktivë në ato faqe.

Duke përdorur dy paraqitje grafike të dallueshme ndërveprimi — Grafik dhe Listë — Lightbeam-i ju bën të mundur të shqyrtoni palë të treta, të shihni se ku lidhen me veprimtarinë tuaj në internet dhe ju ofron rrugë për ndërveprim me këtë pamje unike të Web-it.

Mënyra parazgjedhje, Grafiku, ofron një vizualizim të atypëratyshëm të çdo sajti që vizitoni dhe të krejt kërkesave prej palësh të treta bërë nga shfletuesi juaj. Mënyra Grafik ju ofron filtra të rregullueshëm të cilët ju lejojnë të vizualizoni më tepër lloje të dhënash njëherazi. Mënyra Listë ofron më tepër mundësi për zhbirim sajtesh një e nga një. Parapëlqimet për sajte te mënyra Listë ju lejojnë të bllokoni lidhjen e sajteve te shfletuesi juaj Firefox, të vëzhgoni sajte që ju interesojnë ose të fshihni sajtet që nuk doni t’i shihni të vizualizuar.

Lightbeam-i ofron gjithashtu një panel informacionesh që sjell hollësi shtesë rreth sajtit që përzgjodhët dhe sajteve me të cilët është lidhur.

Fillimet e Lightbeam-it

Lightbeam-i zuri fill më Korrik 2011 si Collusion, një projekt personal nga programuesi i Mozilla-s Atul Varma. I frymëzuar nga libri, The Filter Bubble, Atul krijoi një shtesë eksperimentale për të vizualizuar sjelljet në shfletim dhe grumbullimin e të dhënave në Web.

Në Shkurt 2012, Gary Kovacs, CEO-ja i Mozilla-s në atë kohë, e paraqiti shtesën Collusion në një bisedë TED (tani një nga bisedat TED më të shikuara të krejt kohës) rreth ekspozimit të ndjekjes në internet.

Në Shtator 2012, Mozilla bashkoi forcat me studentë dhe mësimdhënës të Emily Carr University of Art + Design për zhvillimin dhe realizimin e vizualizimeve te shtesa. Me përkrahjen e Ford Foundation-it dhe Natural Sciences and Engineering Research Council (NSERC), Collusion-i u rikonceptua si Lightbeam dhe u hodh në qarkullim në vjeshtë të 2013-s.

Për të lexuar më tepër rreth bashkëpunimit, ju lutemi, vizitoni http://research.ecuad.ca/lightbeam

Rregullat dhe narrativa më e zgjeruar e ndjekjes

Te Mozilla besojmë se secili do të duhej të kishte mjetet për të marrë vendimet e veta rreth privatësisë në internet dhe rreth se cili grumbullon të dhëna rreth tij. Me shtesën Lightbeam, po i ofrojmë bashkësisë një platformë të vlefshme (dhe të hapur) kërkimi që synon të shtojë ndjeshmërinë, të promovojë analizën dhe, tek e fundit, të ndikojë në ndryshimin e rregullave te zona të ndjekjes dhe privatësisë. Lightbeam-i është një tjetër hap në përpjekjen më të madhe, të drejtuar nga Mozilla dhe partnerët e saj, për t’u ofruar përdoruesve Web kontroll dhe transparencë më të madhe mbi të dhënat e tyre personale.

Mësoni më tepër rreth ndjekjes dhe privatësisë në internet

Mozilla Foundation është një organizëm jofitimprurës që promovon vlerat e një Web-i të hapur ndaj një bote më të gjerë. Bashkësia më e gjerë Mozilla e sheh rëndësinë në rritje të privatësisë në internet dhe po përkrah disa nisma që merren me problemin në rrugë të ndryshme. stopwatching.us
www.mozilla.org/dnt/

Formate të dhënash në Lightbeam

Vizitoni dokumentimin tonë në Github që të mësoni më tepër mbi formate kartelash të përdorur në Lightbeam.

Partnerë të Lightbeam-it

Ford Foundation është një organizëm jofitimprurës që përqendrohet në misionin e shpënies përpara të mirëqenies njerëzore. Ai ofron mbështetje për kompani dhe institucione të përkushtuar forcimit të vlerave demokratike, reduktimit të varfërisë dhe padrejtësive shoqërore, përkrahjes së arritjeve njerëzore dhe farkëtimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Social + Interactive Media (SIM) Centre në Emily Carr University of Art + Design përkrah një gamë të gjerë projektesh në dizajn dhe media, duke u dhënë kompanive hyrje të drejtpërdrejtë në të menduarit risor, aftësitë e dizajnimit dhe ekspertizën kërkimore të studentëve dhe pedagogëve më krijues të Kolumbias Britanike.