Mozilla

Historiku i Projektit Mozilla

Projekti Mozilla u krijua më 1998-n, me hedhjen në qarkullim lirisht të kodit burim të suitës së shfletuesit Netscape. Synimi qe të shfrytëzohej fuqia krijuese e mijëra programuesve në Internet dhe të ushqeheshin nivele risie të panjohur deri atëherë në tregun e shfletuesve. Brenda vitit të parë, anëtarë të rinj të bashkësisë nga e gjithë bota dhanë ndihmesë me funksione të reja, zgjeruan dhe thelluan funksione ekzistuese dhe nisën të aktivizohen në planifikimin dhe administrimin e vetë projektit.

Duke krijuar një bashkësitë të hapur, projekti Mozilla është shndërruar në një gjë më të madhe se një kompani më vete. Anëtarët e bashkësisë iu futën punës dhe e zgjeruan fokusin e misionit origjinal të projektit — në vend se thjesht të merreshin me shfletuesin e ardhshëm të Netscape-it, njerëzit filluan të krijonin një larmi shfletuesish, mjete zhvillimi dhe një gamë projektesh të tjera. Ata dhanë ndihmesë te Mozilla me rrugë të ndryshme, por gjithkush qe plot pasion për krijim software-i të lirë që do t’u lejonte njerëzve të kishin një mundësi zgjedhjeje mbi mënyrën se si ta përdornin Internetin.

Pas disa vitesh përgatitjesh, Mozilla 1.0, versioni i parë i rëndësishëm, u hodh në qarkullim më 2002-in. Ky version përmbante mjaft përmirësime të shfletuesit, klientit për email dhe të tjera aplikacione të përfshira te suita, por nuk po përdorej nga shumë njerëz. Deri më 2002-in, më shumë se 90% e përdoruesve të Internetit shfletonin në Internet me Internet Explorer-in. Jo shumë vetë e vunë re në atë kohë, por versioni i parë i Phoenix-it (më vonë i riemërtuar si Firefox) u hodh në qarkullim po nga anëtarë të bashkësisë Mozilla atë vit, me synim të ofronte punimin më të mirë të mundshëm në shfletim për grupin më të madh të mundshëm të njerëzve.

Më 2003-in, projekti Mozilla krijoi Mozilla Foundation, një organizëm jofitimprurës i pavarur, me mbështetje nga dhurues individualë dhe një larmi kompanish. Fondacioni i ri Mozilla Foundation vazhdoi të përmbushë rolin e administrimit të veprimeve të përditshme të projektit dhe mori gjithashtu përsipër rolin e promovimit të të qenët të hapur, risive dhe mundësive në Internet. Këtë e bëri duke vazhduar të hedhë në qarkullim software, të tillë si Firefox-i dhe Thunderbird-i, dhe duke e shtrirë fushën e veprimit në zona të reja, të tilla si dhënie fondesh në mbështetje të përmirësimeve të përdorshmërisë në Web.

Firefox 1.0 u hodh në qarkullim më 2004-n dhe qe një sukses i madh — në më pak se një vit qe shkarkuar më shumë se 100 milionë herë. Prej asaj kohe kanë dalë rregullisht versione të rinj të Firefox-it dhe vazhdojnë të vendosin rekorde të reja. Popullariteti i Firefox-it ka ndihmuar t’u rikthehet përdoruesve mundësia e zgjedhjes. Konkurrenca e ripërtëritur ka përshpejtuar ardhjen e risive dhe përmirësuar Internetin për këdo.

Më 2013-n, hodhëm në qarkullim Firefox OS-in, për të çliruar fuqinë e plotë të Web-it në telefonat e mençur dhe për të ofruar edhe një herë mundësi kontrolli dhe zgjedhjeje për një brez të ri njerëzish që po i afrohen Internetit.

Po më 2013-n, Mozilla festoi përvjetorin e vet të 15-të. Bashkësia ka treguar se kompanitë komerciale mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në projekte me burim të hapur dhe se në formë software-i me burim të hapur mund të prodhohen produkte shumë të mirë përdoruesi. Internetin e përdorin tani më shumë njerëz se kurrë dhe e shijojnë atë në gjuhën e tyre. Është krijuar kështu një organizëm i ripërtërishëm, që përdor mekanizma tregu për të përkrahur një mision të së mirës publike dhe ky model është ripërdorur nga të tjerë për të krijuar organizma të hapur, transparentë dhe bashkëpunues, në një gamë të gjerë fushash.

E ardhmja është plotë sfida dhe mundësi të barasvlershme me ato të së shkuarës sonë. Nuk ka garanci se Interneti do të mbetet i hapur, ose i pëlqyeshëm, ose i parrezik. Mozilla do të vazhdojë të ofrojë për njerëzit një mundësi, që zëri i tyre të dëgjohet dhe që të kenë mundësi t’i japin formë jetës së tyre në linjë. Sigurisht, në kryerjen e kësaj, s’jemi vetëm. Bashkësia Mozilla, tok me projekte të tjera me burim të hapur dhe organizma të tjerë të së mirës publike, ekziston vetëm falë njerëzve që janë të angazhuar për t’i bërë realitet synimet tona të përbashkëta. Nëse doni të bashkoheni me ne, për misionin tonë, ju lutemi, përfshihuni te Mozilla.

Për më tepër të dhëna rreth historikut të Mozilla-s, shihni sa vijon: